Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës, nga disa pronarë të këtyre operatorëve.

Institucionet përkatëse nuk arrijnë të argumentojnë se me çfarë mekanizma janë duke bërë matjen e deklarimit në hyrje të derivateve, dhe kur shfrytëzuesi i fundit shpenzon atë.

Të dhënat zyrtare nga Doganat e Kosovës tregojnë se vetëm gjatë periudhës janar – gusht, në Kosovë janë importuar rreth 320 milionë litra derivate, si benzinë, naftë dhe vajra motorike. Kurse në Administratën Tatimore të Kosovës, na del se nga të gjitha bizneset nga tatimet mbledhin rreth 7 milionë euro.

Sipas njohësve të kësaj fushe, ATK-ja nuk po arrin të tatimojë këto biznese as 5 %, pasi që sasia që po deklarohet në dogana me atë që po deklarohet si e shitur nga këto pika karburanti i ndan një mal i madh.

Latif Kryeziu, pronar i kompanisë “Al Petrol”, thotë se në tregun e derivateve të naftës zhvillohet krimi ekonomik. Ai, madje, thotë se shqetësues mbetet fakti se në treg qarkullon naftë jocilësore. Në mungesë të kontrollimit dhe monitorimit, Kryeziu thekson faktin se në Kosovë importohet gazoili, mazuti, vaji bazik.

“Këtu është një krim ekonomik, shumë i zakonshëm, shumë i thjeshtë, i cili duhet të goditet me forcën e ligjit dhe t’i jepet fund të gjitha kompanive të favorizuara, të gjitha kompanive të kriminalizuara, siç janë organizatat që merren me qarkullimin e derivateve të naftës, të cilat më së paku qarkullojnë naftë. Ato qarkullojnë diçka tjetër dhe e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, e dëmtojnë konsumatorin dhe shëndetin e popullit”, shprehet Kryeziu.

Besa Veseli, menaxhere e cilësisë në trupën inspektuese “Adria Inspekt Kosova”, ka konfirmuar se ka raste që analizat laboratorike nxjerrin se këto derivate nuk janë cilësore.

Edhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë konfirmojnë se në tregun e naftës ka parregullsi, sikurse edhe në sektorët tjerë. Lulzim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në MTI, ka thënë se për 10 muaj ky inspektorat ka hasur në 109 raste të naftës jo konform. “Bazuar në Planin e Monitorimit për periodën dhjetor 2013 – shtator 2014 janë marrë 551 mostra, prej tyre 109 mostra janë jokonform, dhe janë iniciuar 104 fletëparaqitje për cilësi të derivateve”, ka thënë Syla. /Zëri/