Dallaveret me import të naftës nuk kanë të ndalur. Me këtë më së shumti pëson qytetari për shkak të cilësisë së dobët dhe buxheti i Kosovës.

Në Kosovë vazhdojnë operimin pika të shitjes së derivateve të naftës të palicencuara. Inspektorët janë mobilizuar në teren për t’i mbyllur pikat e karburanteve që iu ka skaduar licenca dhe janë duke ushtruar veprimtarin ilegalisht.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri. Ajo i ka dërguar këtij komisioni një informatë me shkrim, lidhur me tregun e naftës dhe derivateve të saj, strukturën e çmimit, lëvizjen e çmimit dhe sigurimin e cilësisë.

Ajo ka theksuar se prej 272 pikave të shitjes së karburantit të cilat i kanë kontrolluar inspektorët, 34% e tyre nuk kanë licencë.

“Deri më tani janë evidentuar 275 pika të shitjes së dizelit, benzinës dhe gazit të lëngëzuar të naftës. Prej tyre, 52 pika të shitjes apo 19% janë jashtë funksionit. Prej 215 pikave të shitjes, 66% janë me licencë valide, ndërsa 34% nuk kanë licencë për shitje me pakicë të dizelit dhe benzinës. Inspektorati i tregut në MTI do të fillojë me mbylljen e pikave që nuk posedojnë licencë valide për operim dhe pastaj do të vazhdojnë procedurat gjyësore, sepse kemi shkallë të penalizimeve të ndryshme”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se licencat e shitësve të karburanteve janë valide për dy vite dhe se 60 ditë pa u skaduar afati i licencës duhet të aplikojnë në MTI për licencë të re. Kështu që sipas saj, brenda dy jave do ta kenë evidnecën për të gjitha pikat e karburanteve që janë në Kosovë.

Duke folur për cilësinë e naftës ajo ka potencuar se kanë kapacitete të limituara për kontrollin e cilësisë së naftës dhe se nuk kanë laborator kimik për të bërë analizat e naftës në kuadër të MTI-së.

“Kjo ka hendikepuar ministrinë në masë të madhe që të kontrolloj kualitetin e naftë. MTI-ja në bazë të udhëzimeve administrative ka udhëzuar 4 kompani provate si trupa inspektuese të cilat bëjnë leximin e certifikatave në zonat doganore dhe kemi pasur të autorizuar 5 laboratorë, ndërsatani kemi 3 sosh të cilët do të bëjnë analiza”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, trupat inspektuese bëjnë kontrollin, njohjen e certifikatave në zonat doganore dhe në momentet kur këto certifikata janë të lëshuara nga laboratorët e akredituar, ata vetëm bëjnë pranimin dhe përshkrimin e tyre, mandej inspektorët doganor janë të obliguar që t’i pranojnë certifikata të tilla.

“Në rastet kur certifikatat nuk janë të njohura për trupat inspektuese dhe vijnë nga laboratorët të cilët nuk janë të akredituar, atëherë trupat inspektuese obligohen sipas udhëzimit administrativ që t’i marrin mostrat dhe t’i dërgojnë për analizë në laborator. Në rast se analiza e naftës del pozitive, atëherë çmimin për analizën e paguan trupa inspektuese. Në rast se del nafta e kualitetit të dobët atëherë e paguan importuesi”, tha Bajrami

Ajo ka shtuar se kanë vizituar të gjitha trupat inspektuese në zonën doganore të Prishtinës dhe aty ka qenë vetëm një trup inspektuese, e cila për lexim të certifikatave u ka marr importuesve të naftës deri në 60 euro për pranimin e një certifikate. Më vonë për t’i ulur çmimet MTI-ja ka menduar të bëjë një konkurrencë dhe ka udhëzuar disa trupa tjerë ku tashmë janë 4 trupa inspektuese të cilët bëjnë pranimin e certifikatave.

“Duhet të bëhet një unifikim i çmimeve, sepse këto janë kompani private që ushtrojnë kompetenca shtetërore. Duhet të kemi një çmim dhe jo të punohet në bazë të konkurrencës”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se janë në proces të ndryshimit të legjislacionit dhe në të gjitha zonat doganore ka propozuar të ketë trupa inspektuese që kontrollojnë karburantet. Bajrami po ashtu ka raportuar se prej javës tjetër do të ketë kontrolle edhe pas orës katër nëpër të gjitha pikat e karburanteve.

Kontrollimi i cilësisë së naftës, sipas saj, është tepër i vështirë për shkak se importi bëhet me autobote dhe në sasi të vogla. Këtu kushton 320 euro një analize dhe importi behët në sasi të vogla dhe për krejt analizat MTI i ka 20 mijë euro duke pasur parasysh që këtu përfshihen edhe analizat tjera.

Sipas saj, rregullimi i çmimit të naftës bëhet duke u bazuar në ligjin aktual 03/l-138 ne nenin 11 siç thotë se Qeveria e Kosovës në propozim të ministrit të MTI-së mund të ndërhyjë në raste të çrregullimit të çmimit në tregun e brendshëm”.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa ka thënë se ekziston një konflikt interesi ndërmjet trupave inspektuese dhe importuesve të karburanteve dhe se nga kjo lindin të gjitha problemet.

Ai iu ka drejtuar ministres Bajrami se duhet një Task-Forcë për kontrollimin e naftës ku edhe do ta kenë mbështetjen e komisionit.