Pasi që në vitin 2008 në Detroit të SHBA-ve është paraqitur modeli atraktiv konceptual LRX, publiku me padurim e ka pritur paraqitjen e modelit prodhues. Më në fund ka ardhur edhe ajo ditë kur në kuadër të shënimit të ditëlindjes së dyzetë Land Rover ka paraqitur Range Rover Evoque.
Krahasuar me konceptin paralajmërues, në fushën e dizajnit ndryshimet janë minimale. Në anën tjetër, edhe pse është pritur që modeli prodhues do të bartë shenjën Land Rover, Evoque është përfshirë në ofertën e Range Rover. Bëhet fjalë për një trik marketingu në kuadër të cilit Evoque do të kushtojë më shumë, e do të ofrojë më pak. Gjithsesi bëhet fjalë për aftësitë për terren dhe praktikën e tij.
Të dhënat teknike për fat të keq nuk mund të gjenden ende, prandaj paraqitje e tyre komplete zyrtare pritet të bëhet këtë vjeshtë në panairin e automjeteve në Paris. Megjithatë, merret vesh se Evoque do të paraqitet në tri versione me tri e pesë dyer dhe se blerësit do të mund të zgjedhin në mes të tërheqjes në dy apo në të katër boshtet.
Fillimi i shitjes pritet të bëhet deri në mes të vitit 2011, e prodhimi i është besuar fabrikës së Land Rover në Liverpool.





