Kur kampionati i ri i Formulës 1 është në prag (vetëm gjashtë ditë nga gara e parë në Bahrein), le të hedhim një sy në rregulloren e re, e ndryshuar për këtë sezon. Ndryshimi themelor ka të bëjë me ndalesën në bokse.
Makinat nuk do lejohen më furnizohen me benzinë gjatë garës, që do të thotë se motorët që harxhojnë më pak do jenë më rezultativë, duke qenë se do qëndrojnë më shumë në pistë. Kështu, skuderitë duhet të punojnë më shumë në lidhje me konsumin e karburantit.
Duke qenë se makinat do kenë peshë më të madhe (sepse do jenë plot me karburant), rëndësi të madhe do ketë zgjedhja e gomave. Bridgestone është furnizuesi i vetëm i gomave në Formula 1 dhe në këtë aspekt, është thelbësore cilësia e gomave. Po kështu, edhe strategjia e skuderive gjatë ndalesave në bokse do luajë një rol të dorës së parë.
Më saktësisht, pilotët që do kualifikohen në dhjetë pozicionet e para në provat zyrtare, duhet ta nisin garën me po të njëjtat goma që përfunduan sesionin e kualifikuese. Ky rregull është interesant, sepse makinat që nisen poshtë dhjetë vendeve të para, kanë avantazhin e ndërrimit të gomave para garës (pra, do përdorin goma “të freskëta).
Gjithashtu, në krahasim me vitin e kaluar, gomat do jenë më të ngushta: nga 270 do bëhen 245 milimetra. Duke qenë se gara do ndahet në pjesë më të gjata, Bridgestone ka bërë ndryshime edhe në përbërjen e gomave (do jenë më rezistente). Mbulesa e gomave para përdorimit nuk do jetë më e lejuar.
Ndryshim do ketë edhe në numrin e të eliminuarve midis dy raundeve të parë të kualifikueseve. Nga pesë pilotë që eliminoheshin vjet pas sesionit të parë (Q1), këtë vit do eliminohen shtatë pilotë. Sistemi Kers, aq i debatuar sezonin e kaluar, do hiqet përfundimisht për të gjitha skuderitë.





