Sebastian Vettel duket se është “dashuruar” me shikim të parë me Ferrarin. Piloti gjerman, i cili ka kaluar në përfundim të sezonit të kaluar nga Red Bull te “kokëkuqja”, e vë theksin gjithmonë tek e njëjta gjë, sa herë flet nëpër intervista.

“Të ngasësh një Ferrari, më shumë sesa një përgjegjësi, është një nder”.

Katër herë kampioni i botës me skuderinë austriake, në fakt nuk është thirrur vetëm për shëtitje, por për të fituar. “E di që na pret një punë shumë e vështirë. Shumë gjëra kanë ndryshuar, kanë ardhur edhe shumë persona të rinj… Por ka ardhur koha e duhur, të gjithë kërkojnë me dëshpërim të fitojnë, për të kapur sërish vendin që i takon Ferrarit”.

Vettel, në intervistën e dhënë për TG1, ka folur edhe për makinën e re “SF15T”.

“Testimet në Jerez shkuan shumë mirë. Kemi një makinë me baza të mira mbi të cilat mund të punohet, por nuk mund të mendojmë më shumë sesa kaq, pasi ende nuk e kemi me siguri atë që kanë të tjerët. Nëse kërkon të garosh për të fituar, duhet të jesh i aftë për të mposhtur Mercedesin, qoftë edhe të qëndrojmë prapa tyre por shumë pranë. E them këtë sepse objektivi i Mercedesit është të kthehet sa më shpejt në krye, siç ishte vitin e kaluar, ndërsa neve na takon ta mposhtim këtë vit, nëse ia dalim mbanë, ose të paktën t’i mposhtim vitin e ardhshëm. Por, siç e kam thënë, thuajse e sigurt është që ne do të synojmë të rikthehemi sa më shpejt në pod”.

Seb ka rikujtuar edhe Enzo Ferrarin. “Është një mëkat që nuk e kemi mes nesh Enzon, do të ishte diçka e mrekullueshme ta kisha njohur. Ajo që na ka lënë pas, megjithatë, e ka ende dhe do ta ketë gjithmonë shijen e të magjishmes. Të jem pjesë e skuderisë Ferrari është diçka e bukur”. / Top Channel/