Prodhuesi suedez i automjeteve Volvo, i cili rishtazi ka kaluar në pronësi të grupimit kinez Geely, më së shumti i njohur për automjetet e veta karavan, veç nivelit të lartë të sigurisë, pronarëve u ofron praktikë të shtuar dhe mundësi variabile të ngarkimit të bagazhit. Nga Volvo sapo ka arritur modeli i ri V60.
I ndërtuar në platformën e limuzinës S60, V60 do të prodhohet në Suedi, e blerësve do tu ofrohet me dy lloj karrocerish – dinamike si standarde, respektivisht atë touring si mundësi zgjedhje. Volvo po ashtu ka paralajmëruar pagesë shtesë për sistemin FOUR-C të karrocerisë aktive.
Sa i përket dizajnit, ai është më dinamik se kurrë më parë, e suedezët e pranojnë publikisht se qëllimi ka qenë që automjeti të duket sa më shumë si kupe.
Me V60-shin e ri nuk kemi për qëllim të pozicionohemi në segmentin e karavanëve tradicional”, ka thënë Orjan Sterner, drejtor i Volvos për dizajn, dhe ka shtuar “blerësit të cilët duan shumë hapësirë bagazhi kanë në dispozicion modelin tonë V70”.
Suedezët nuk bëjnë shaka as kur është paleta e motorëve në pyetje, prandaj V60 do të bëhet me një varg motorësh me benzinë dhe naftë, me tërheqje në boshtin e përparmë apo tërheqje integrale. Ofertën e atyre me benzinë e përbëjnë motori i ri 2.0 GTDI me 203 KF dhe 300 Nm si dhe dy motorë të ri 1.6 GTDI me 150 e 180 KF. Në të janë edhe dy motorë me naftë me nga pesë cilindra – 2.4 D5 me 205 KF dhe 420 Nm, si dhe 2.0 D3 me 163 KF dhe 400 Nm, derisa motori më ekonomik me naftë do të jetë modeli katër-cilindërsh DRIVe me motor 1.6-litërsh i cili zhvillon 115 KF dhe 270 Nm.
Modeli më prestigjioz në ofertë do të ketë motor trelitërsh T6 me benzinë i cili zhvillon 304 KF dhe moment rrotullimi prej 440 Nm. Nga vendi i nisjes deri në 100 kilometra në orë ky automjet arrin për 6.6 sekonda si dhe shpejtësinë maksimale të kufizuar në mënyrë elektronike prej 250 km/h.
Të gjitha modelet do të ofrohen me përzgjedhje në mes të marshit mekanik prej gjashtë shpejtësish apo atij automatik Geartronic.
Pasi që veç bëhet fjalë për Volvo, modeli V60 në mënyrë standarde do të ketë pajisje të avancuara për siguri, në mes të cilave përfshihet edhe sistemi i ri Pedestrian Detection i cili ‘njeh’ këmbësorët dhe parandalon shkeljen e tyre deri në shpejtësinë prej 35 kilometrash në orë, si dhe sistemi City Safety i cili të njëjtën gjë e bën me automjetet tjera në trafik.
Premiera zyrtare është paralajmëruar për panairin e automjeteve të Parisit i cili mbahet në vjeshtë, derisa shitja, me çmime tani për tani të panjohura, do të duhej të fillonte deri në fund të këtij viti.
Artikuj të ngjajshëm:





