Qyteti industrial i Serbisë, Kragujevci, ka eksportin gati sa tërë buxheti i shtetit të Kosovës. Vetëm nga ky qytet vitin e kaluar janë eksportuar produkte në vlerë prej 1 miliard e 240 milionë euro.

Prodhuesve nga ky qytet industrial u pëlqen tregu i Kosovës dhe se ata kanë planifikuar që të rrisin praninë e produkteve serbe në vend.

Prodhuesi i njohur i automjeteve në ish-Jugosllavi, Zastava, planifikon që të rikthehet në tregun e Kosovës me kamionë të vegjël. Por të njëjtin fat nuk e kanë prodhuesit nga Kosova të cilët shohin pengesa për t’u futur në tregun e Serbisë edhe pse disa prej tyre deklarojnë se mund të jenë konkurrentë të denjë në tregun e shtetit fqinj.

Drejtori i fabrikës së Zastavës, Milko Tufegjiq nuk sheh asnjë pengesë për t’u rikthye në tregun e Kosovës. Ai tregon se që nga muaji shtator i këtij vitit do të fillojnë me prodhimin e kamionëve për tregun e Kosovës. Tufegjiq shpreson se do të gjejnë treg në Kosovë, pasi që kamionët e tyre sipas tij, do të jenë ndër më të lirët në botë./Tribuna/