Automobilat elektrikë janë bërë hit i vërtetë kohën e fundit. Ata shumë shpejt u bënë të parapëlqyerit e shumë personave, andaj ata mezi presin që të bëhet prodhimi edhe i modeleve të paralajmëruar.

Sipas anketës së realizuar me adhuruesit e veturave elektrike, pesë automobila që do t’i paraqesim dolën të jenë më të “dashurit” dhe mezi pritet lansimi i tyre.

BMW Megacity

Pamja e tij vjen drejtpërdrejt nga sci-fi filmat, por ultra-modernja BMW Megacity nuk është bash “fantazi”. Automobili elektrik i qytetit i BMW-së do të prodhohet në vitin 2013, ndërsa kjo “shtyrje” erdhi si rezultat i hulumtimeve të shumta që janë bërë se a do të pëlqehet apo jo kjo veturë. Është zhvilluar nën projektin e “BMW-së” ndërsa programi “Megacity” do të ketë jetëgjatësi shumë më të madhe sesa automobilat e tjerë falë karrocerisë së dëshmuar nga alumini, kabinës nga karboni për udhëtarët dhe elektromotorit të fuqishëm, duke përmendur këtu edhe qëndrueshmërinë.

Pritet pra që Megacity të mbetet në qarkullim me dekada dhe se do të nevojiten para të vogla për mirëmbajtjen e tij. Kjo është një punë e mirë, por ajo që u intereson shumë vetave është çmimi sa do të kushtojë i cili ende nuk është bërë i ditur, por pritet të jetë goxha i lartë.

Audi A1 e-tron

Audi A1 e-tron, është i bazuar në modelin që fitoi shumë shpërblime atë A1, dhe ky është përshkruar si “Mega City Vehicle”, i ngjashëm si BMW Megacity. Sipas pohimeve të bëra deri tani nga ana e prodhuesit, ai është i aftë t’i kalojë mbi 50 kilometra me një bateri, pra me energji elektrike. Ajo që është shumë gjë e mirë është se bateria e zbrazur mund të mbushet shumë shpejt me energji, andaj mundet pastaj pa asnjë problem të vazhdohet rrugëtimi me energji elektrike. “Audi” është duke planifikuar të bëjë testimin e modelit A1 e-tron në München, Gjermani, këtë vit. Modeli e-tron, pritet të prodhohet në numër jo aq të madh, dhe çmimi i tij do të jetë bukur i shtrenjtë, dhe sipas informatave atë mund ta blejnë vetëm ata që kanë “xhepin e thellë”.

Mazda 2 elektrike

Prodhuesi i njohur “Mazda” kohë më parë bëri publike planet që së shpejti do të futet edhe në segmentin e veturave elektrike dhe këtë me modelin i cili do të bazohet në automobilin shumë të popullarizuar të qytetit atë Mazda 2. Sipas burimeve brenda kësaj kompanie pritet që “Mazda” të huazojë “Toyota Hybrid Synergy Drive” teknologjinë dhe pritet ta ketë autonominë e ngjashme sikur edhe Audi A1 e-tron. Prodhuesi japonez i automobilave parashikon që ky model do të jetë vetura më e preferuar elektrike për qytet në të ardhmen, kjo falë karakteristikave që pritet t’i ofrojë.

Kia POP

Kia POP është një koncept i prezantuar kohë më parë dhe i cili ofron një “pasqyrë se si do të duken veturat e së ardhmes”. Me karrocerinë prej ngjyrës së kromit, me formë të pazakontë të dritareve, dyer të stilit “Gullwing” dhe me transparencën e saj, kjo veturë sigurisht që do të duket futuriste. Motori i saj do të jetë prej 68 kuaj fuqi dhe prej 190 Nm si dhe pritet të posedojë baterinë prej 18 kwh me litium, të cilat këto Kia POP-it i ofrojnë një autonomi bukur të mirë.

Disenjatori kryesor në “Kia Europe”, Gregory Guillaume tha: “Unë këtë vizion jam duke e shtjelluar kohë të gjatë në kokën time. Pritet që makina që do të prodhohet nuk do të lëshojë ‘aspak zë’ dhe nuk do të bëjë harxhime të mëdha. Thënë shkurt do të jetë një veturë që do t’i plotësojë kërkesat e njerëzve në të ardhmen”. Prodhimi i saktë i kësaj makine ende nuk është bërë i ditur, kështu që mund të ndodhë që adhuruesit e kësaj veture të presin edhe një kohë derisa Kia POP ta sheh dritën.

Ford Focus elektrik

Edhe prodhuesi i njohur “Ford” nuk deshi të rrijë duar kryq kur është në pyetje prodhimi i automobilave elektrik. Ata tashmë e kanë prezantuar modelin e tyre elektrik i cili bazohet në veturën shumë të shitur në tërë botën atë Ford Focus, andaj ata presin që shitja e tij të jetë shumë e madhe dhe se do të ketë popullaritetin e Ford Focus-it “normal”. Kjo veturë ofron një autonomi prej rreth 160 kilometra, ndërsa mund të mbushet nga prizma elektrike e shtëpisë. Mbushja e tërësishme e kësaj makine zgjatë rreth tetë orë. Por, a do të pëlqehet dhe a do t’i ofrojë të gjitha ato karakteristika që i ka bërë të ditura prodhuesi pritet të shihet.zeri/

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!