Citroën ka shfrytëzuar panairin parisien për paraqitjen e ridizajnimeve të modelit C5, në versionin limuzinë dhe karavan.

Duke marrë parasysh se modeli i ri C5 është i pranishëm në treg vetëm që dy vjet, ndryshimet në dizajnin e jashtëm janë bërë në minimum, prandaj dallimet më së shumti vërehen në shtimin e dritave LED në pjesën e përparme, si dhe plastika më të errësuara në pjesën e pasme.

Nën kapak të tij është gjetur vend për dy motorë të rinj. Adhuruesit e vozitjes ekonomike do të duhej të kënaqeshin me sistemin e ri e-HDI i cili kombinon motorin me naftë katër-cilindërsh me 110 kuaj fuqi me sistem mikro-hibrid – teknologjinë e frenimit regjenerues dhe sistemin Start & Stop, me të cilat automjeti në njëqind kilometra në cikël të kombinuar shpenzon mesatarisht 4.6 litra karburant dhe emeton 120 gramë CO2 për kilometër.

Për ata të cilët nuk duan të heqin dorë nga dinamizmi, aty gjendet motori 2.2-litërsh me naftë i cili zhvillon 200 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 450 Nm, dhe ato i transmeton në boshtet e përparme me anë të marshit automatik prej gjashtë shpejtësish. Me këtë motor C5 arrin shpejtësinë prej zero deri në 100 km/h për 8.2 sekonda dhe atë maksimale prej 230 kilometrash në orë, e në ciklin e kombinuar shpenzon 5.9 litra karburant në njëqind kilometra të kaluara.

Versionet e ridizajnuara C5 do të gjenden në shitje deri në fund të këtij viti. /Telegrafi

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!