Nico Rosberg dhe Lewis Hamilton janë protagonistët më të mëdhenj të konferencës për shtyp përpara Çmimit të Madh të Abu Dhabit, garës së fundit të sezonit 2014 dhe që është decizive për të shpallur kampionin e botës, edhe pse dihet se do të jetë një prej pilotëve të Mercedesit.

Britaniku komandon me 17 pikë më shumë në renditjen e pilotëve, por i ndërgjegjshëm se në garë janë për t’u fituar dyfishi i pikëve të garave të deritanishme.

“Nuk ndiej ndonjë presion të veçantë, nuk ndryshon asgjë për mua. Garoj prej 20 vitesh dhe jam i përgatitur për gjithçka. Jam këtu për të fituar”, shprehet Hamilton.

Ndërkohë, gjermani i përgjigjet: “Në Brazil jam përmirësuar në krahasim me Austinin, kam besim të madh dhe jam këtu gjithashtu për të fituar garën. Do të jetë një fundjavë intensive dhe në një pistë do të ketë një betejë të ashpër. Të diskutosh titullin në garën e fundit është ajo për të cilën kam punuar gjatë gjithë karrierës sime. Lewis është një kundërshtar i madh”.

Gjithsesi, Hamilton beson se nuk do të jetë e nevojshme të flasë me shokun e skuadrës përpara garës, për të evituar ndonjë padrejtësi në pistë.

“Është një garë me një pistë që i përshtatet stilit tim, madje këtu kam garuar mirë edhe në të kaluarën. Të flas me Nicon? Kemi folur shpesh herë gjatë sezonit, nuk jemi fëmijë, e dimë mirë se çfarë është mirë dhe çfarë është e gabuar”, vijon britaniku.

Rosberg, nga ana tjetër, nuk lufton vetëm për vendin e parë, por shpreson që Hamilton të mos renditet i dyti për t’u shpallur kampion bote.

“Mund të ndodhin shumë gjëra, ndoshta Williams niset mirë dhe renditet mes nesh. Kështu është shumë e vështirë të parakalosh. Ka shumë skenare, por unë jam optimist. Më duhet të bëj gjithçka, të ruaj presionin ndaj tij dhe ta detyroj të gabojë. E rëndësishme është që ai të zhvillojë një garë të pastër, jo me ngacmime”, është shprehur piloti gjerman.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!