Të dielën e 23 nëntorit, në Abu Dhabi do të mbyllet edhe ky sezon i Formula 1, por gara për titullin kampion mbetet e hapur, sigurisht për pilotët dhe jo skuderinë fituese. Është gjithashtu e ditur se ai që do të triumfojë është një pilot i skuderisë gjermane Mercedes, e cila ka dominuar këtë botëror të automobilizmit që prej fillimit.

Lewis Hamilton udhëheq renditjen për pilotë me 334 pikë, ndërkohë që shoku i tij i skuadrës Nico Rosberg ndjek me 317 pikë.

Janë 17 pikë diferencë mes britanikut, me 10 fitore këtë sezon, nga piloti gjerman, me 4 fitore dhe e fundit në Interlagosin brazilian. Diferenca më e madhe në fakt është fakti që në Çmimin e Madh të Abu Dhabit do të dyfishohen pikët e grumbulluara për secilin prej vendeve të para; pra 50 për vendin e parë, 36 për vendin e dytë, 15 për të tretin e kështu me radhë.

Kjo do të thotë se Hamilton, padiskutim, do të jetë kampion në rast fitoreje të garës së fundit, por edhe në rast se del i dyti, pas Rosbergut. Ndërsa në rast se gjermani do të dalë në vendin e dytë, britanikut i mjafton vendi i pestë për t’u shpallur kampion.

Ndërkohë, Rosberg, për ta parakaluar britanikun, duhet me patjetër të fitojë garën, por edhe të shpresojë që Hamilton të mbërrijë të paktën i treti, apo edhe më mbrapa. Ndërsa në rast se Hamilton do të tërhiqet nga gara, gjermanit do t’i mjaftojë të renditet në vendin e pestë. shkruan “TCH”.

Ja kombinimet e mundshme:

Hamilton shpallet kampion nëse del:

– I pari ose i dyti
– I treti, i katërti ose i pesti, në qoftë se Rosberg del i dyti
– I gjashti, nëse Rosberg del i treti
– I shtati ose i teti, nëse Rosberg del i katërti
– I nënti, nëse Rosberg përfundon i pesti
– Nëse Rosberg përfundon i gjashti ose në vendet e tjera më pas

Rosberg shpallet kampion nëse del:

– I pari, me kusht që Hamilton të jetë i treti
– I dyti, me Hamiltonin të gjashtin
– I treti, me Hamiltonin të shtatin
– I katërti me Hamiltonin në vendin e nëntë
– I pesti, nëse Hamilton renditet i dhjeti, ose më mbrapa.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!