Filloi prodhimi i modelit të ri Fiesta ECOnetic, deri më tani automobili më ekonomik i prodhuesit evropian “Ford-it”. Fiesta ECOnetic, të cilin e vë në lëvizje motori 1.6 litra Duratorq TDCi me 95 KF dhe 205 Nm të momentit rrotullues, mund të krenohet me harxhimin prej vetëm 3.3l/100km dhe emetimin e CO2 prej 87g/km.

Inovacionet teknologjike të përfshira nën “Ford ECOnetic Technology” përfshijnë sistemin “Auto-Start-Stop”, mbushjen e akumulatorit me frenimin rigjenerativ, mënyrën e ngasjes “Eco Mode” dhe sinjalizimin për ndërrimin e shpejtësive.

Po ashtu, në mënyrë të veçantë është programuar sistemi i drejtimit i motorit dhe janë optimizuar raportet e shpejtësive.

Pezullimi më i ulët, mbrojtësi i pjesës së poshtme (dyshemesë), drejtuesit e ajrit në rrota dhe pneumatikët shumë cilësor shtesë kontribuojnë në ngasje më të mirë. Modeli prodhohet në fabrikën e “Ford-it” në Koln në Gjermani, ndërsa do të ofrohet në versionet me tri dhe pesë dyer, dhe pajisje të shumta, varësisht nga tregu.

Gjysma e të gjitha modeleve të “Ford-it” të shitura në Evropë do të mbajnë shenjën “ECOnetic Technology” deri në fund të vitit 2012. Pjesa e tyre do të rritet në dy të treta që në vitin 2013.

Të gjitha këto janë pjesë e premtimeve të “Ford-it” për zvogëlimin e emetimit të CO2 në automobilat e tyre për 30 për qind në periudhën ndërmjet vitit 2006 dhe 2020.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!