Australiani parakaloi në fund Fernando Alonson e Ferrarit

U besua se do të ishte dita e Fernando Alonsos në pistën e Silvestounit në Britaninë e Madhe, por fitorja thjesht e mashtroi pilotin e madh të Ferrarit. Suksesin e shënjestroi veterani Mark Ueber i Red Bullit, duke parakaluar spanjollin pikërisht në xhirot e fundit, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Sebastian Fetel plotësoi podiumin anglez.

Pas kësaj gare, Alonso vazhdon të kryesojë botërorin, por edhe pilotët e skuadrës austriake nuk janë larg.
Një paraqitje shumë e dobët për skuadrën shtëpiake, Meklaren Mercedes, që ka në radhët e veta dy pilotët anglezë, Ljuis Hamilton dhe Xhenson Baton. “Shigjetat e Argjendta” nuk ishin në gjendje të mbanin ritmin e Red Bullit dhe Ferrarit.

Alonso u nis nga “pole position”, duke mos gabuar startin, ndërsa Ueber nuk iu nda për asnjë çast, nga fillimi deri në fund. Fetel gaboi duke humbur një pozicion dhe duke zbritur i pesti, por strategjia e gomave dhe makina e tij shumë e mirë e ndihmuan ndërsa gara po i drejtohej fundit.
Ferrari dhe Red Bulli patën dy strategji të ndryshme, pasi “kokëkuqja” e nisi me goma të forta dhe Alonso e përfundoi me të buta, ndërsa Ueber bëri të kundërtën, duke përshkruar pjesën e fundit të garës me goma të forta.

Kjo i dha epërsi ndaj Alonsos dhe australiani e parakaloi spanjollin 4 xhiro para fundit duke mos e diskutuar më pas fitoren. Për fat, nuk kishin mbetur shumë xhiro dhe Fetel arriti të afrohej, por jo t’I merrte Fernandos vendin e dytë. Masa i Ferrarit doli në vend të katërt, ndërsa Raikonen e Groszhan të Lotusit menjëherë pas tij. Hamilton doli i teti dhe Baton i 10-ti.

Alonso kryeson botërorin me 129 pikë, ndjekur nga Ueber me 116 e më pas nga Fetel me 100. Hamilton është i katërti me 92. Si skuadër, kryeson Red Bull me 216 pikë, Ferrari është i dyti me 152, Lotus me 144 dhe Meklaren që ka zbritur i katërti me 142 pikë. Gara e ardhshme është në Gjermani.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!