Një sezon spektakolar ku e gjithë loja u zhvillua në fushën e Mercedes. Kjo mund të jetë fjalia përmbledhëse e vitit 2014 në Formula 1 ku ndryshimet ishin radikale.

Motorë V6 ku Mercedes kuptoi menjëherë sekretet duke fshirë brenda një sezoni atë çfarë kishte arritur Red Bull në 4 vjet. Inxhinierët gjermanë ndërtuan një makinë përbindësh, e cila nuk la asgjë për kundërshtarët sepse motorët e rinj Mercedes funksionuan në perfeksion, duke i shtuar një marsh më shumë njëvendëshes se Hamilton dhe Rosberg.

Në këtë rrjedhë logjike, titulli u adresua te skuadra gjermane ku pikëpyetja e fundit mbeti deri në garën e fundit. Lewis apo Nico? Ishte britaniku ai që guxoi më shumë sepse ky është stili i tij, të kërkojë në çdo garë fitoren dhe si shpërblim vjen titulli i dytë në karrierë. Nota 9 për Hamilton është treguesi më i mirë për sezonin e kampionit.

Ai arriti të nxirrte në pah talentin, duke ruajtur qetësinë në garën e fundit. Pikët e dyfishta në Abu Dhabi nuk e penguan aspak, madje e nxitën Lewis të korrigjonte defektet e karakterit të tij, duke zhvilluar një garë të sigurtë dhe me bindjen se në fundin e saj do të shpallej kampion.

Nota 8 për Nico Rosberg. Gjermani besoi deri në fund pavarësisht dozave më të pakta të talentit që zotërorn. Nota e vetme stonuese e sezonit është gara në SPA, garë ku nxorri në pah anën e tij të errët dhe lejoi Lewis të fitonte terren.
Bernie Ecclestone nuk shkon më shumë se nota 4. Bosi i Formula 1 do të mbahet mend për formulat e tij gjeniale që e kanë bërë këtë sport kaq të dashur, por tashmë ndoshta ka ardhur momenti t’u hapë rrugën të rinjve. Risitë e këtij sezoni ndoshta e dëmtuan disi reputacionin e britanikut. Ferrari nota 4. Të njëjtat probleme për kokëkuqen nga Maranello. Kohët ndryshojnë por Ferrari jo.

Skuadra italiane duket se po prek fundin. Pavarësisht revolucionit, e ardhmja duket e errët sidomos pa Fernando Alonson. Në të njëjtat pozita, ndoshta edhe diku më poshtë qëndron McLaren që brenda pak vitesh ka shkatërruar një trashëgimi të ndërtuar prej dekadash në këtë sport.

Sebastian Vettel, nota 6. E vuan shumë ndryshimin e rregullores, aq sa as ai nuk e njeh më veten e tij. Vuajti gjithashtu edhe talentin e shokut të skuadrës Daniel Ricciardo, i cili meriton të paktën notën 8. Tashmë ndryshon faqe, Ferrari e pret për një erë të re.

Dhe në fund, Williams me notën 7. Gjenialiteti i Frenk Williams doli sërish në pah. Britaniku shfrytëzoi me mjeshtëri avantazhet e motorit Mercedes, duke e ngjitur skuadrën e tij në podiumin e konstruktorëve.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!