Në panairin e automobilave që do të mbahet në Frankfurt, prej 12 deri më 22 shtator, pritet të paraqitet noviteti interesant në klasën e veturave më të vogla (A-segmentin), të ashtuquajturit automobila të qytetit. Pra këtu pritet të prezantohet gjenerata e dytë e modelit Hyundai i10.

Ndryshime të shumta

Është mirë ta rikujtojmë modelin e gjeneratës së parë të prezantuar në fund të vitit 2007, si pasardhës i modelit Atos Prime, ndërsa në fillim të vitit 2011 është ridizajnuar.

Ndryshimi i parë ka të bëjë me vendin e prodhimit. Për dallim nga modeli i parë i10, i cili në tregun evropian kishte arritur nga fabrika në Indi, i riu do të vjen nga Turqia. Sikurse edhe modeli i parë edhe ky i dyti ka ngjashmëri të madhe teknologjike me Kia Picanto-n.

Hapësira ndërboshtore është rritur nga 238 në 238.5 cm. Ky automobil është i gjatë 366, i gjerë 166 dhe i lartë 149 cm, që do të thotë që modeli i ri është për 8 centimetra më i gjatë, 6.5 më i gjerë dhe 5 cm më i ultë se gjenerata e parë. Do të jetë pra më dinamik dhe më i gjerë, sidomos në ulëset e pasme. Është rritur edhe bagazhi nga 225 në 252 litra. Struktura e karrocerisë është përforcuar dhe pritet që të fitojë së paku katër yje për siguri në testin Euro-NCAP. Marrë parasysh që në pajisjet serike gjenden gjashtë jastëk të ajrit dhe ESP nuk do të ishte befasi nëse do t’i fitonte edhe pesë yjet.

Konkurrencë e madhe

Hyundai i10 i ri e ka ruajtur stilin e versionit paraprak, më mirë është i pajisur dhe duket “më serioz”. Sikurse edhe te modeli i ri, por edhe në Kia Picanto, në ofertë gjenden dy versione të motorëve me benzinë: ai me 3-cilindra me 998 ccm dhe 69 KF dhe motori me 4-cilindra me 1248 ccm dhe 86 KF. Motori bazë do të harxhojë vetëm 4.1 l.

Përkrah ndërruesit manual me pesë shkallë të transmisionit, në versionin më të fuqishëm është në dispozicion edhe transmisioni automatik. Ky automobil në treg nuk do ta ketë aspak lehtë, pasi që futet në hapësirën e veturave shumë të suksesshme, atyre Volkswagen up! dhe Skoda Citigo, Renault Twingo, Peugeot 107, Citroën C1 dhe Toyota Aygo-s. Konkurrenti i tij më i madh pritet të jetë Chevrolet Spark, ndërsa në këtë klasë gjendet edhe Mitsubishi Space Star. Suksesi i këtij automobili në masë të madhe do të varet nga çmimi sa do të kushtojë dhe i cili tani për tani nuk dihet.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!