Edhe pse është modeli më i vogël dhe më pak i shitur në ofertën e Hyundai-t në tregun e Evropës, i10 prapë është njëri nga modelet më të rëndësishëm të prodhuesit jug-korean të veturave.

Kur është prezantuar para gjashtë viteve, së pari në tregun indian e pastaj edhe në Evropë, i10 ishte një prodhim i Hyundai-t me shkollë të re të dizajnit dhe me qëllim që t’u kundërvihet rivalëve të tij të famshëm.

Derisa gjenerata e parë e këtij automobili ende prodhohet dhe shitet në tregun indian, gjiganti korean për publikun evropian ka përgatitur gjeneratën e dytë, e cila do ta ketë debutimin në panairin e veturave në Frankfurt gjatë shtatorit, derisa shitja e tij do të filloj nga fillimi i vitit të ardhshëm, duke përfshirë edhe tregun e Kosovës, pasi ekziston përfaqësia e Hyundait edhe tek ne.

Në krahasim me modelin të cilin do ta zëvendësojë, i10 i ri është për 80 mm më i gjatë, 65 mm më i gjerë dhe 50 mm më i ulët, derisa shasia e tij është rritur për 5 mm. Hyundai premton se me rritjen në dimensione, më së shumti është përfituar në përmirësimin e karakteristikave të vozitjes si dhe për hapësirën më të madhe në kabinë dhe në bagazh në klasën e vet.

Presidenti i Hyundai-t për tregun e Evropës, Allan Rushforth, thotë se secili detaj në modelin e ri i10, është përmirësuar për të përmbushur kërkesat e blerësve evropianë dhe se modeli i tyre do të jetë ndër automobilat më të rrallë në klasë me kualitet, pajisje dhe teknologji e cila kryesisht mund të gjendet vetëm në veturat më të mëdha dhe më të shtrenjta.

Një rol të madh ka luajtur edhe e dhëna se modeli i ri i10 në tërësi është dizajnuar dhe zhvilluar në Evropë, ndërsa sikurse edhe deri më tani, prodhimi i tij do të bëhet në Turqi. Nga ana e dizajnit, ky vogëlush e përcjell shkollën e njohur të Hyundai-t, të cilën deri më tani kemi pasur rastin ta shohim edhe në modelet tjera të kompanisë.

Përmirësime të shumta, përveç në pamjen e jashtme, janë bërë edhe një interier, i cili tani ka një dukje më moderne dhe më komode, ku secili pasagjer e ndjen veten rehat.

Po ashtu, në pllakën e kryesore janë vendosur komandat në atë mënyrë që vozitësit të ketë qasje shumë më të lehtë në to, pa e rrezikuar vozitjen, ndërsa për argëtimin sa më të mirë, i10 ofron sistem të mrekullueshëm audio, pastaj klimën automatike dhe shumë pajisje tjera. Edhe hapësira për këmbë tani është më e madhe se në modelin paraprak, ndërsa edhe bagazhi tani ofron kapacitet më të madh, më saktësisht 252 litra, çka është më i madhi në këtë kategori.

Për momentin dy motorë benzinë

Sa i përket motorëve, fillimisht në ofertë do të gjendet dy motorë me benzinë, dhe atë ai 1.0L I3 i cili ofron 68 kuaj fuqi si dhe ai 1.2 litërsh I4 me 86 kuaj fuqi, derisa forca do të bartet në rrotat e përparme përmes transmisionit manual me 5 shpejtësi dhe atij automatik me 4 shpejtësi. Dhe pasi bëhet fjalë për motorë me kapacitet të vogël, atëherë është e pritshme të kemi edhe harxhime më të vogla të karburantit.

Kështu, për 100 kilometra të kaluara në vozitje të kombinuar, harxhimet arrijnë në vetëm 4.4 litra, ndërsa emetimi i gazrave CO2, është vetëm 103 g/km. Sa i përket shpejtësisë, ajo maksimale është 182 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për 12.5 sekonda. Hyundai ende është duke shqyrtuar mundësinë nëse ofertën e motorëve do ta zgjeroj edhe me ata dizel, por nëse ndodh kjo, atëherë kjo do të arrihet pas disa viteve.

Si do që të jetë, i10 i ri pritet të vazhdojë suksesin e Hyundai-t, ndërsa pas shitjes solide të rivalit kryesor Chevrolet Spark në tregun amerikan, nuk do të jetë befasi nëse ky model do të jetë në shitje edhe në këtë kontinent.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!