Pothuajse të gjithë pranojnë rrezikun e përdorimit të celularëve në timon. Megjithatë, 180 njerëz humbën jetën në aksidente në SHBA gjatë tre viteve të fundit për shkak të celularëve. Studentët e Universitetit Stevens të Teknologjisë në Nju Xhersi kanë krijuar një aplikacion që bllokon përdorimin e celularit nga shoferi, por jo të pasagjerëve.

Këshilli Kombëtar për Sigurinë thotë se më shumë se çereku i të gjitha aksidenteve me makina në SHBA kanë të bëjnë me përdorimin e celularit. Megjithatë, kur bie telefoni, shumë shoferë nuk përmbahen dot.

Një grup studentësh të inxhinierisë në Institutin Stevens të Teknologjisë kanë krijuar tashmë një aplikacion telefoni që e pengon shoferin të flasë, ose të dërgojë mesazhe me celular, ndërkohë që telefonat e pasagjerëve punojnë normalisht.

Nuk kërkon instalimin e ndonjë pajisjeje elektronike shtesë në makinë, thotë drejtuesi i projektit, profesori i asociuar Yingying Chen.

“Si parim, kur vjen një telefonatë, ose kur shoferi kërkon të dërgojë mesazhe, telefoni dërgon një tingull të posaçëm që transmetohet nëpërmjet sistemit audio të makinës.”

Frekuenca e tingullit është mbi nivelin e dëgjimit normal të njerëzve, por ajo kapet nga mikrofoni i celularit. Duke llogaritur distancën me bokset e makinës, telefoni përcakton dhe vendndodhjen në makinë.

Nëse telefoni ndodhet në anën e shoferit, e devijon telefonatën tek sekretaria telefonike, ose e shtyn për më vonë dërgimin e mesazheve, duke bllokuar kështu përdorimin nga shoferi. Kjo funksionon edhe kur është duke u dëgjuar muzikë e lartë në makinë.

Zoti Chen thotë se versioni fillestar i aplikacionit kërkon që sistemi audio i makinës të jetë i ndezur, por në të ardhmen kjo nuk do të jetë e domosdoshme.

“Do të shfrytëzojmë sensorët në telefonat celularë, si gjiroskopin dhe matësin e shpejtësisë, që do të na ndihmojë për të përcaktuar nëse telefoni ndodhet në anën e shoferit, ose të pasagjerit.”

Zoti Chen thotë se ky projekt i përbashkët i studentëve të doktoraturës në Institutin Stevens dhe në Universitetin Rutgers është testuar me sukses në rrugë. Dy firma të mëdha celulare, AT&T dhe Verizon, kanë shprehur interes për ta integruar aplikacionin e ri në shërbimet e tyre.

Ndaje artikullin me të tjerët:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • TwitThis
  • Print this article!